995 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

FJALIMI I KRYESUSIT ISUFAJ NË TRYEZËN ME TEMË: "LIGJSHM?RIA E KËSHILLIT GJYQËSOR DHE PROKURORIAL"

Prishtinë, 27 prill 2016 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në tryezën me temë: “Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”, e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, në cilësinë e panelistit të kësaj tryeze, para të pranishmëve tha:

“Siç jeni në dijeni pas ndryshimeve ligjore të ndodhura në qershor të vitit të kaluar,  Këshilli Prokurorial i Kosovës ka një strukturë të re dhe një përfaqësim të ri.

Jam i nderuar të prezantoj në këtë tryezë dhe në cilësi të Kryesuesit të KPK-së mund të ju them se struktura dhe përfaqësimi i ri i Këshillit edhe pse të shoqëruar me sfida të ndryshme, ka arritur përparime të dukshme në shumë drejtime.

Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin, ka përcaktuar një sistem përfaqësimi mjaft pozitiv i cili mundëson që çdo nivel i prokurorisë të ketë përfaqësuesin e tij në Këshill.

Në fund të vitit 2015, brenda afatit ligjor, është bërë edhe përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit dhe atë me një formë shumë transparente, gjithëpërfshirëse dhe përfundimisht ka hequr të gjitha dilemat për respektimin e kritereve ligjore për përzgjedhje si anëtar i Këshillit.

Tani jemi në pritje të plotësimit të Këshillit edhe me anëtar të rinj që do vinë nga komuniteti i jo prokurorëve. Të gjitha veprimet që na takojnë neve si Këshill, i kemi ndërmarrë për plotësimin e këtyre vendeve, tani është në kompetencën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të përzgjedh përfaqësuesit nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Fakultetit Juridik dhe Shoqëria Civile.

Është e rëndësishme të theksohet se që nga janari i vitit 2016, Këshilli ka realizuar aktivitete të rëndësishme në drejtim të zhvillimit të tij institucional.

Përbërja e re e Këshillit që nga janari i vitit 2016 ka mbajtur 5 takime.

Në këto takime, përveç tjerash, Këshilli ka miratuar disa rregullore, ka bërë funksionale katër prej pesë komisioneve të përhershme, ka formuar komisione të përkohshme dhe ka marrë vendime të ndryshme në funksion të  zbatimit të mandatit të tij.

Rregulloret e miratuara janë:

  1. Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit
  2. Rregulloren për Bashkëpunim Institucional

Aktualisht jemi duke punuar edhe disa rregullore të tjera në mënyrë që të kompletohet infrastruktura nënligjore e Këshillit.

Kur jemi te çështja e rregulloreve vlen të theksohet se pas ndryshimeve ligjore nga korriku i vitit 2015, Këshilli Prokurorial ka miratuar 12 rregullore të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me strukturën organizative dhe funksionimin e Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit, si dhe me rekrutimin, vlerësimin dhe disiplinimin e prokurorëve  të shtetit.

Po ashtu që në takimet e para përbërja aktuale e Këshillit ka miratuar Planin Strategjik 2016-2018 përmes të cilit ka përcaktuar katër objektiva të përgjithshme të cilat janë;

  1. Fuqizimi i Strukturës dhe Kapaciteteve Institucionale të Sistemit Prokurorial;
  2. Promovimi i Kompetencave dhe Profesionalizmit;
  3. Zgjerimi i Qasjes në Drejtësi dhe Marrëdhëniet me Publikun;
  4. Përmirësimi i Shërbimeve dhe Teknologjisë.

Këshilli,  me përbërjen e re gjithashtu ka formuar komisionet e tij të përhershme si:

  1. Komisionin për Çështje Normative;
  2. Komisionin për Buxhet Financa dhe Personal;
  3. Komisioni Disiplinor dhe
  4. Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.

Me kompletimin e Këshillit me anëtarët jo prokuror menjëherë do ta themelojmë edhe Komisionin  për Administrimin e Prokurorive, në të cilin do të jenë të përfaqësuar edhe këta anëtarë të Këshillit.

Gjithashtu nga janari i vitit 2016 Këshilli ka themeluar disa komisione të përkohshme si; Komisionin për rekrutimin dhe provimin e prokurorëve, komisionin për transferim dhe avancim të prokurorëve etj.

Vendime të rëndësishme të Këshillit janë edhe ato që kanë të bëjnë me rekrutimin e prokurorëve. Në kuadër të këtij procesi nga janari i këtij viti është bërë Analiza për numrin e nevojshëm të prokurorëve, është shpallur konkursi për 22 prokurorë dhe për herë të parë është hartuar provimi për prokurorë i cili pritet të administrohet në javët në vijim sipas një plani konkret. Gjithashtu Këshilli ka marrë vendim edhe për publikimin e shpalljes për transferim dhe avancim të prokurorëve dhe në ditët vijuese do fillojë ky proces.

Një proces i rëndësishëm me të cilin aktualisht po administron Këshilli është edhe rekrutimi i 6 prokurorëve dhe 34 pozitave të stafit administrativ, i cili po zhvillohet në kuadër të integrimit të minoritetit serb në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Aktivitete të rëndësishme janë duke u ndërmarrë edhe lidhur me procesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe në ditët në vijim Këshilli do të miratojë skemën e re tre vjeçare për vlerësimin e prokurorëve siç është paraparë me ligj dhe rregullore.

Si aktivitete me rëndësi, të ndërmarra nga Këshilli, janë ofrimi i shërbimeve për të gjitha prokuroritë, rekrutimi i stafit për pozitat e pa plotësuara, konsolidimi i buxhetit përmes rritjes së masës së buxhetit, përgatitjet për të rregulluar me ligj të veçantë pozitën e stafit prokurorial etj.

Përfundimisht mund të them se Këshilli po ndërmerr aktivitete intensive edhe në drejtim të funksionalizimit të Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve.

Që nga janari i vitit 2016 janë miratuar Strategji për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është themeluar Njësiti për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik, janë hartuar raporte dhe janë realizuar obligime të caktuara të dala nga procesi i integrimit Evropian.

Si aktivitete të rëndësishme ku Këshilli do të fokusohet në të ardhmen janë:

  1. Përmirësimi i pozitës buxhetore të sistemit prokurorial;
  1. Hartimi i rregulloreve të rëndësishme si;
  • Rregullorja për Sekretariatin e KPK-së;
  • Rregullorja për Njësitin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorisë;
  • Rregullorja për Njësinë e Përgjimeve;
  • Rregullorja për  Komunikim me Publikun;
  • Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore  të Anëtarëve të KPK-së, etj.
  1. Kompletimi i Këshillit me anëtarët që mungojnë;
  1. Përfundimi i procesit të rekrutimit të prokurorëve dhe stafit administrativ;
  1. Transferimi dhe Avancimi i Prokurorëve (sipas nevojave, veçanërisht për PSRK dhe prokuroritë ku ka mungesa);
  1. Vlerësimi i rregullt i peformancës së prokurorëve;
  1. Ngritja e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit administrativ të sistemit prokurorial , në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor dhe partner të tjerë, përmes trajnimeve dhe programeve të tjera të ngritjes së kapaciteteve;
  1. Mbikëqyrja e zbatimit te rregulloreve dhe vendimeve te Këshillit;
  1. Rritja e bashkëpunimit me partnerë vendor si; Kuvendi, Qeveria, Këshilli Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë, Instituti Gjyqësor, Oda e Avokatëve, Ministria e Integrimeve dhe Ministria e Financave dhe resorë të tjerë të rëndësishëm për ne;
  1. Vazhdimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë të cilët mbështesin sistemin prokurorial dhe të drejtësisë në përgjithësi.

Në fund shfrytëzoj rastin ta falënderoj Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në përpilimin e këtyre raporteve”.