994 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI NË MES TË KPK-së, KGJK-së, PK-së dhe OAK-ut

Prishtinë, 26 prill 2016 - Me qëllim të zbatimit në praktikë të drejtës për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë, sot Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Policia e Kosovës (PK) dhe Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjet penale.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, i cili nënshkroi marrëveshjen në emër të Këshillit Prokurorial, tha se marrëveshja e nënshkruar do të themelojë një mekanizëm të rëndësishme koordinues për mbrojtje gjyqësore.

“Si Kryesues i KPK-së, premtoj se do të angazhohemi që të krijojmë mundësi për mbrojtje e të drejtave të të pandehurve siç e kërkojnë interesat e drejtësisë në të gjitha fazat e procedurës penale”, tha Isufaj.

Më tej, kryesuesi Isufaj tha se shteti duhet të krijojë kushte për mbrojtje zyrtare efektive, njëkohësisht duhet të krijojë edhe mekanizma kontrolli dhe vlerësimi të performancës së ofruar nga mbrojtja zyrtare.

Marrëveshja e cila parasheh themelimin e mekanizmit funksional për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjet penale në mes të palëve nënshkruese, për të siguruar dhe ofruar shërbime efektive dhe profesionale të mbrojtjes gjyqësore me shpenzime publike, është ndihmuar nga OSBE – Misioni në Kosovë.