952 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

LUMEZI DHE LLALLA PËR THËLLIM TË BASHKËPUNIMIT NË MES TË DY PROKURORIVE

Prishtinë, 10 mars 2016 – Me ftesë të kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi, në Kosovë po qëndron një delegacion i Prokurorisë së Përgjithshëm të Shqipërisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në takimin e zhvilluar në mes të dy kryeprokurorëve është biseduar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve që ata udhëheqin.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka njoftuar delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria, me funksionimin e sistemit prokurorial të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi dhe Llalla, kanë biseduar lidhur me sfidat kryesore të dy sistemeve prokuroriale.

Lumezi, ka thënë se sfidë kryesore për Prokurorin e Shtetit të Kosovës, është trajtimi i lëndëve të krimeve të luftës, korrupsionit, krimeve ekonomike. Po ashtu, ai njoftoi delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria se në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është themeluar Departamenti për Krime Lufte.

Po ashtu, Lumezi bërë me dije se Prokurori i Shtetit, ka bërë planin strategjik për luftimin  e korrupsionit, dhe se në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës,  është themeluar Njësiti për luftimin e këtyre lëndëve.

Në takimin e zhvilluar në mes të dy delegacioneve të dy prokurorive, i pranishëm ishte edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ka prezantuar funksionimin e Këshillit, si dhe ka thekuar se vizita si kjo do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit mes dy sistemeve. Kryesuesi Isufaj, po ashtu ka folur edhe për ndryshimet tjera që ka pësuar Këshilli Prokurorial me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit.

Prokurori  Llalla, ka thënë se dy prokuroritë kanë  bashkëpunim të mirë dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen duke forcuar sistemin ligjor në dy vendet, me qëllim të integrimit sa më të shpejt në Bashkimin Evropian.

Delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë gjatë qëndrimit të Kosovë, do të zhvillojë takime me Presidenten e Republikës së Kosovës dhe Ministrin e Drejtësisë.