949 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

KPK DHE OSBE PËR AVANCIM TË SISTEMIT TË MBROJTJES "SIPAS DETYRËS ZYRTARE"

Prishtinë, 03 mars 2016 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka pritur në takim shefin e Sektorit për Ligj dhe Drejtësi në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Ralph Bunche.

Në këtë takim shefi i Sektorit për Ligj dhe Drejtësisë në OSBE, Bunche, ka uruar Prokurorin Blerim Isufaj për zgjedhjen në krye të KPK-së, ndërsa e ka njoftuar për punën që bënë OSBE-ja në monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, pasi ka falënderuar përfaqësuesin e OSBE-së për gatishmërinë e këtij misioni që të mbështes sistemin prokurorial, ka thënë se ai do të punojë në intensifikimin e bashkëpunimit në mes të KPK-së dhe OSBE-së.

Pikë e rëndësishme që u diskutua në këtë takim, ishte edhe avancimi i sistemit të mbrojtjes “sipas detyrës zyrtare” (ex officio), ku u tha që në mes të KPK-së, OSBE-së dhe disa institucioneve tjera, do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me avancimin e këtij sistemi.

Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që KPK-ja të njoftohet me raportet dhe rekomandimet që dalin nga OSBE-ja gjatë monitorimit të sistemit të drejtësisë, që OSBE të mbështetë sistemin prokurorial të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për komisionet dhe stafin e këtij sistemi dhe që OSBE t’i ofrojë mbështetje KPK-së me anë të monitorimit gjatë procesit të provimit për prokurorë.