948 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

DEKLARATË NGA KËSHILLI PROKURORIAL I KOSOVËS

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e njëqindetrembëdhjetë (113) të mbajtur sot, 2 mars 2016, lëshon këtë:

D E K L A R A T Ë

Në lidhje me publikimet e datës 06.02.2016 në gazeta dhe portale, në lidhje me bastisjen e ligjshme që ka urdhëruar Gjykata Themelore e Pejës në bazë të kërkesës të Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës konsideron së publikimet e mesazheve në këto gazeta dhe portale si dhe prononcimi i vet Kryetarit të Komunës së Klinës përmbajnë sjellje të jashtme, të parapara me nenin 34 të Rregullores nr. 10/2015 për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe që këto sjellje cenojnë pavarësinë dhe autoritetin e prokurorëve dhe të institucionit të prokurorisë, si dhe cenojnë ushtrimin e rregullt të funksionit të prokurorit.

Thellësisht të shqetësuar me diskursin e kohëve të fundit jo vetëm të këtij rasti, Këshilli Prokurorial i Kosovës fton të gjitha institucionet vendore dhe bartësit e tyre, si dhe secilin individ të përmbahen nga ndërhyrja në sistemin prokurorial dhe të përmbahen nga cenimi i pavarësisë së prokurorëve në vendimmarrje, ndërsa që siguron se çdo sjellje e tillë që mund të ketë elemente të veprës penale do të ndiqet, hetohet dhe dërgohet para Gjykatës kompetentë për dënim të personave të tillë. Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës edhe njëherë e siguron publikun se do të luftojë me vendosmëri në ruajtjen e pavarësisë së secilit prokuror nga çfarëdo ndërhyrje, kërcënimi apo pengese që tentohet të bëhet në punën e tyre.

Krejt në fund Këshilli Prokurorial i Kosovës njëzëri dhe fuqishëm deklaron se mbështet veprimet e secilit prokuror në sistemin prokurorial të Kosovës në hetimin, ndjekjen dhe dërgimin para Gjykatës kompetentë te të gjithë kryesve të veprave penale dhe se ky përkushtim është më i fuqishëm se kurrë më parë dhe askush e asgjë nuk mund ta zmbrapsë përkushtimin dhe vullnetin e prokurorëve për të hetuar të gjithë kryesit potencial të veprave penale.