947 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 2 mars 2016 – Është mbajtur takimi i njëqindetrembëdhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë marrë vendim për transferimin e pesë (5) prokurorëve nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe në Departamentin për të Mitur në Prokurorin Themelore të Prishtinës. Katër nga këta do të transferohen në Departamentin të Krimeve të Rënda,  ndërkaq,  një në Departamentin për të Mitur.

Po sot, anëtarët e KPK-së, kanë marrë vendim për caktimin e udhëheqësve të Departamenteve në Prokurorinë Themelorë të Prishtinës. Ndërkaq, në pozitat e udhëheqësve do të jenë deri më 31 dhjetor të vitit 2016.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte, caktimi i njëzetedy (22) pozitave për prokurorë të cilët janë në proces të zgjedhjes, në prokuroritë Themelore.  Anëtarët e Këshillit vendosën që në Prokurorinë e Prishtinës të dergohen katër (4) prokurorë, për Prokurorinë e Prizrenit pesë (5), në atë të Ferizajt katër (4), të Pejës tre (3), në Gjilan një (1), në Gjakovë dy (2), e në Mitrovicë tre (3).

Po ashtu, gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së,  themeluan Komisionin për Rekrutimin e prokurorëve në prokuroritë Themelore të Kosovës. Për kryetar të këtij komisioni u caktua Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndërkaq për anëtarë u caktuan, prokurori Lulzim Sulejmani, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Idain Smailji nga Prokuroria e Apelit, Radica Milic nga prokuroria e Mitrovicës si dhe Ikramije Bojaxhiu nga prokuroria e Prishtinës. Ndërsa, për anëtarë rezervë u caktuan, prokurori Besim Kelmendi si dhe prokurorja Bedrije Alshiqi.

Vlen të theksohet se në këtë takim u themelua Komisioni për Rishqyrtim me këtë përbërjeë Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj u caktua për kryetar të këtij komisioni e ndërkaq, për anëtarë u caktuan Sevdije Morina dhe Xhevdet Bislimi. E ndërkaq, për zëvendës anëtarë u caktuan Dëshirë Jusaj dhe Sabri Ademi.

Në këtë takim anëtarët e KPK-së, vendosën që administratori i rekrutimit dhe provimit të jetë Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.

Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte deklarata e grupit punues për rastin e prokurorit Admir Shala. Pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve, shkrimeve të botuara në media, si dhe pas intervistimit të prokurorit, Admir Shala, grupi ka nxjerrë një deklaratë e cila është diskutuar në Këshillin Prokurorial. Ndërkaq, anëtarët e KPK-së, kanë marrë vendim që e njëjta deklaratë të publikohet për media.