914 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

SUSPENDOHET PROKURORI BASRI MORINA

Prishtinë, 29 janar 2016 -  Posa ka ardhur informata në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksander Lumezi, më datë 07 janar 2016, se prokurori Basri Morina ka marrë pjesë në një tubim me karakter religjioz më datë 14 nëntor 2015, i organizuar nga një person i cili dyshohet për vepër penale që ndërlidhet me terrorizëm, menjëherë është dërguar e njëjta informatë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor për të filluar hetimet.

Pas zhvillimit të hetimeve Zyra e Prokurorit Disiplinor ka paraqitur Raportin më datë 27 janar 2016, me rekomandim për suspendimin pa pagesë të prokurorit të shtetit, Basri Morina, në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh duke filluar nga data 28 janar 2016, deri në përfundimin e procedurës disiplinore.

Komisioni Disiplinor pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe provave të bashkangjitura, duke i vlerësuar ato veç e veç, ka gjetur se prokurori Basri Morina, ka shkelur Kodin e Etikës dhe Sjelljes profesionale për Prokuror neni 2, Parimet e përgjithshme, pika 1, 2 dhe 3 nën pika a, b dhe c.  

Po ashtu, përkundër faktit se mban pozitën e prokurorit të shtetit dhe nuk i lejohet pjesëmarrja në tubime të tilla, prokurori Morina, ka mbajtur fjalim me përmbajtje religjioze, veprime këto që janë në kundërshtim me detyrimet e prokurorit për zbatimin e standardeve të larta të sjelljes profesionale.

Komisioni Disiplinor ka vlerësuar se mbetja e prokurorit Basri Morina, në detyrë dhe vazhdimi i kryerjes së detyrave të tij të përditshme si prokuror, mund të ndikojë negativisht në opinionin publik duke dëmtuar  imazhin dhe duke e zbehur  besimin e qytetarëve në sistemin prokurorial në tërësi.