901 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

BLERIM ISUFAJ ZGJEDHET KRYESUES I KPK-SË

Prishtinë, 14 janar 2016 - Është mbajtur takimi i njëqindenjëmbëdhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi anëtarët e rinj të KPK-së, përveç betimit të bërë, si pikë të rendit të ditës kishin edhe zgjedhjen e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Duke u bazuar në obligimet procedurale, kandidaturat për kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishin paraqitur anëtarët e këtij këshilli, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Bahri Hyseni dhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

Dhjetë anëtarët prokurorë të KPK-së, me 8 vota pro, për kryesues të KPK-së zgjedhën prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufajn.

Zëvendës-kryesues i KPK-së u caktua anëtari i Këshillit, prokurori i Prokurorisë së Apelit, Idain Smailji. Ndërkaq, kryetari i deritanishëm i KPK-së, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga anëtarët e rinj reforma, ndryshime dhe përkushtim. Lumezi, ka thënë se është koha e fundit që sistemi prokurorial të reformohet. Ai po ashtu u shpreh se brenda këtij sistemi ka mangësi, mirëpo sipas tij, mangësitë që ekzistojnë nuk duhet të merren si pengesa gjatë punës, përkundrazi, duhet motivim që këto mangësi të përmirësohen sa më parë.

Ky ishte takimi i parë i Këshillit Prokurorial me përbërjen e re të anëtarëve, të cilët po sot kanë dhënë betimin.