874 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 29 dhjetor 2015 - Është mbajtur takimi i njëqindedhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë takimit të sotshëm anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë diskutuar dhe aprovuar katër rregullore. - Rregulloren për zgjedhjen e Kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës; - Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës; - Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Funksionimin e Prokurorit të Shtetit të Kosovës; si dhe - Rregullore për Vlerësimin e Performancës së prokurorëve;

Po ashtu, anëtarët e KPK-së kanë marrë vendim që në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm, të krijohet Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, me gjithsej dhjetë (10) prokurorë, gjashtë (6) prej tyre në DKR dhe katër (4) në DP.

Po ashtu, u themelua Komisioni mbikëqyrës i Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme me këtë përbërje, Prokurori Lulzim Sulejmani nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu nga KPK-ja dhe Haxhi Dërguti nga Prokuroria e Apelit.

KPK-ja ka marrë vendim që dy emrat e prokurorëve të EULEX-it, Lars Agren dhe Tomas Meskauskas, të dërgohen tek presidentja e Republikës së Kosovës, për dekretim.

Anëtarët e KPK-së, u njoftim rreth nominimit të kandidatëve të shoqërisë civile, Odës së Avokatëve dhe fakulteteve juridike. Si dhe, morën vendim që të rishpallet konkursi për anëtarë të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile dhe Fakulteteve Juridike.

Po sot, anëtarët e KPK-së u njoftuan lidhur me procesin zgjedhor që është mbajtur më 12 dhjetor lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KPK-së. Kryetari i Këshillit Prokurorial, Aleksandër Lumezi, bëri me dije se çdo prokurorë që e njeh gjuhën angleze mund të aplikoj për bursë që të bëjë studimet master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në universitetin Wake Forest, projekt ky i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar sot, planin e punës për vitin 2016, para anëtarëve të KPK-së, plan ky i cili u vlerësua lartë dhe u aprovua.

Gjatë takimit të KPK-së, drejtori i Përgjithshëm i Prokurorit të Shtetit, Shkëlzen Maliqi, ka raportuar lidhur me raportin Financiar për vitin 2015. Raporti ky i cili u aprovua nga anëtarët e Këshillit.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së, kanë shqyrtuar dhe aprovuar Memorandum Mirëkuptimin mes Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës ( KGJK) si dhe Memorandum Mirëkuptimin mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Policisë së Kosovës (PK), Prokurorit të Shtetit (PSH) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Për fund Kryetari i Këshillit Prokurorial, Aleksandër Lumezi, ka falënderuar anëtarët e këtij Këshilli, për kontributin e dhënë që nga themelimi e deri më sot në Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi që kjo përbërje do të jetë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Ndërsa, KPK-ja do të ketë përbërjen e re nga 1 janari i vitit 2016