863 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 29 maj 2015 - Është mbajtur takimi i nëntëdhjetenëntë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial dhe njëherë kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial diskutuan dhe aprovuan draft rregulloren e Bordit Drejtues të Projektit TIK/SMIL, me ndryshimet të cilat janë bërë. Po ashtu, kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Aleksandër Lumezi, i delegoi të drejtat e tij anëtarit të KPK-së, Jetish Maloku, për përfaqësimin e tij në Bordin Drejtues të Projektit TIK/SMIL. Po sot, anëtarët e Këshillit Prokurorial bënë plotësim – ndryshimin e Rregullores 08/2012, për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte plotësim – vendimi i rregullores për organizimin e brendshëm të prokurorit të Shtetit. Lidhur me këtë pikë anëtarët e KPK-së, bënë plotësim - ndryshimin e grupit punues për hartimin e rregullores për organizimin e brendshëm të prokurorëve. Deri më tani pozitën e kryetarit të këtij grupi e ka mbajtur, Aleksandër Lumezi, tani kryeprokuror i Shtetit njëherit kryetar i KPK-së. Ndërkaq, për kryetar i këtij komisioni KPK-ja caktoi prokurorin Lulzim Sulejmani, si dhe për shkak të pensionimit të Sahit Shalës, në vend të tij u caktua për anëtar, Sadri Krasniqi. Ndërkaq, anëtarët e KPK-së, morën vendim që të bëhet plotësim – vendimi i Komisionit të përhershëm të KPK-së për Buxhet dhe Financa, ku u caktua prokurori Sadri Ademi, pasi që në vend të tij ka qenë ish-anëtari i KPK-së, Kujtim Kërveshi.

KPK-ja aprovoi kërkesën si dhe mori vendim që, në Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, të caktohet prokurori Kujtim Munishi. Po sot, KPK-ja aprovoi akt – dorëheqjen e prokurorit MuratHulaj, nga Prokuroria Themelore e Pejës. Raporti Vjetor i Prokurorit të Shtetit për vitin 2014, u diskutuar dhe aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.

Ndërkaq, pas shumë diskutimeve lidhur me raportin vjetor të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2014, u kërkua që të plotësohet raporti i punës dhe të paraqitet në takimin e ardhshëm të KPK-së. Sa i përket mandatit të prokurorit Rrahim Podvorica, anëtarët e KPK-së unanimisht u pajtuan që emri i tij t’i dërgohet presidentes për dekretim. Plani strategjik i teknologjisë Informative për KPK-në për periudhën 2015/2020, u diskutua dhe aprovua nga KPK-ja. Po ashtu, gjatë këtij takimi KPK-ja themeloi komisionin për intervistimin e kandidatëve për prokurorë për integrimin e komunitetit jo – shumicë.

Komisioni për intervistimin e kandidatëve do të jetë në këtë përbërje: KatiaDominik, përfaqësuese e EULEX-it, Idain Ismailji, nga Prokuroria e Apelit si dhe Jusuf Mejzini nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.