861 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 13 maj 2015 – Është mbajtur takimi i nëntëdhjetetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial dhe njëherë kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Kryetari i KPK-së dhe njëherësh kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, iu ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Prokurorial, që t’i lënë anash pakënaqësitë që kanë njëri me tjetrin dhe ta forcojnë bashkëpunimin mes vete, duke punuar së bashku me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së KPK-së dhe përmirësimit të imazhit të këtij Këshilli. Kryetari Lumezi, ritheksoi se është i vendosur që ta luftojë krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin. “E di se do të përballem me sfida të mëdha, por jam i vendosur që të ndryshoj për të mirë imazhin e Këshillit Prokurorial dhe të Kosovës.

E di që kjo nuk mund të ndodhë brenda një dite, por e di se patjetër do të ndodhë”, u shpreh kryetari Lumezi. Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial bënë plotësim–ndryshimin e Komisionit për emërimin e tre prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Komisioni u vendos që të përbëhet nga: kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ushtruesja e detyrës së kryeprokurorit të PSRK-së, Sevdije Morina, si dhe prokurori i Shtetit, Jusuf Mejzini.

Po ashtu, prokurori Lulzim Sulejmani, nga prokuroria e Apelit, u caktua anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së prokurorëve, pozitë në të cilën deri më tani ka qenë kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, si përfaqësues i Prokurorisë së Apelit. Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe caktimi i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit. Për këtë pozitë Këshilli Prokurorial mori vendim që aprovohet propozimi i prokurorëve të kësaj prokurorie që të caktohet prokurori Haxhi Derguti nga Prokuroria e Apelit, u. D. kryeprokuror, deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Sa i përket themelimit të Komisionit për hartimin e rregullores për emërimin e kryeprokurorëve, Këshilli Prokurorial mori vendim që anëtarët e akteve normative të angazhohen sa më parë, duke punuar së bashku me këshilltarët nga EULEX-i dhe Zyra e BE-së, që të bëjnë hartimin e kësaj rregulloreje. Po sot, KPK-ja aprovoi kërkesën e prokurorëve, Ariana Shajkovci dhe Atdhe Dema, për të vazhduar studimet master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit të sotëm KPK-ja caktoi ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Derguti, përfaqësues ligjor për përfaqësim të KPK-së dhe PSH-së në gjykata në rastet e paditura nga ish kryeprokurori i Shtetit, Hilmi Zhitija dhe BIRN. Vendimi për pagesën shtesë në mënyrë retroaktive, për muajin mars dhe prill, për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikë së Kosovës, dhe stafin mbështetës u morr gjithashtu në këtë takim. Këshilli Prokurorial mori vendim edhe për rritjen e numrit të prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, nga numri i tanishëm që është gjashtë në tetë prokurorë, plus një pozitë të jetë e lirë për përfaqësuesin e minoritetit serb, pasi që një gjë e tillë është paraparë sipas marrëveshjes për drejtësinë.

KPK-ja, poashtu anuloi konkursin e mëparshëm për prokurorë në ZKPSH, si dhe kërkoi që të hapet konkursi i ri për pranimin e tre prokurorëve në këtë zyrë. Po ashtu, Këshilli Prokurorial, caktoi komisionin për përzgjedhjen e prokurorëve në ZKPSH, të kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe me anëtarë Bajram Ukaj e Lura Pula. Raporti i mekanizmit përcjellës për harmonizimin e raporteve statistikore për veprat penale karakteristike për vitin 2014, si dhe raporti Analitik lidhur me veprat penale karakteristike për vitin 2013 dhe 2014, u aprovuan njëzëri nga anëtarët e Këshillit Prokurroial të Kosovës.

Lidhur me raportin për prokurorët që ligjërojnë në universitetet private, kryetari Lumezi, kërkoi që të rishqyrtohet edhe një herë vendimi i KPK-së për lejimin e prokurorëve për të ligjëruar në universitete private, duke vendosur që praktika e deritanishme të ndryshohet pas përfundimit të vitit akademik 2014/2015. Ndër të tjera në këtë takim u diskutua edhe për mandatet e drejtorit të Sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe drejtorit të Njësitit për vlerësimin e performancës së Prokurorëve, të cilët janë pranuar në punë në bazë të konkursit të shpallur në vitin 2011, me kohëzgjatje për tre vjet. KPK-ja mori vendim që të formohet Komisioni për shqyrtimin e kontratave të punës së këtyre drejtorëve. Në këtë komision u caktuan prokurorët, Bahri Hyseni, Kujtim Munishi dhe Lulzim Sulejmani, të cilët pasi të konsultohen me të gjitha institucionet relevante t’i paraqesin KPK-së një qëndrim ligjor për këtë çështje. Këshilli Prokurorial u pajtua që të themeloi Departamentin për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po sot, u vendos që të kompletohet dokumentacioni, për dërgim tek Presidentja, për tu dekretuar me mandat të përhershëm prokurori Rrahim Podvorica, si dhe të bëhet një raport, se për çfarë arsye nuk është dërguar deri më tani emri i tij për dekretim. KPK gjithashtu ka vendosur që t’i drejtohet presidentes edhe me propozim për shkarkim nga detyra për prokurorin tani e një kohë të suspenduar pa pagesë, Nazmi Mustafi, nga detyra e prokurorit, pasi që kundër këtij personi gjykata ka shqiptuar aktvendim dënues.