439 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U SHQYRTUAN DOKUMENTET E KANDIDATËVE PËR KRYEPROKUROR TË SHTETIT

Prishtinë, 29.12.2014 –Paneli i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka bërë sot shqyrtimin preliminar të aplikacioneve të kandidatëve që kanë konkuruar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryetari i Panelit, Idain Samilji, në hapjen e panelit tha se për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, kanë konkurruar shtatë kandidatë e ata janë: Agron Galani, Shyqyri Syla, Aleksandër Lumezi, Imer Beka, Laura Pula, Metush Biraj dhe Agron Matjani.

Paneli ka konstatuar se katër, nga shtatë kandidatët që kanë konkurruar, i kanë plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme për të vazhduar tutje. “Agron Galani, Shyqyri Syla, Aleksandër Lumezi dhe Laura Pula janë kandidatët që i kanë plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme”.

Ndërsa, kandidatët që nuk i kanë plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme janë: Imer Beka, Metush Biraj dhe Agron Matjani. Paneli ka konstatuar se kandidati Imer Beka, nuk e ka bashkangjitur vërtetimin se ka përvojë punë gjashtë vite si prokuror, si dhe, vërtetimin që nuk është nën hetime. Kandidati Metush Biraj, nuk ka bashkangjitur dokumentin që dëshmon se nuk është nën hetime dhe certifikatën e shtetësisë. Paneli po ashtu, konsideroi se edhe kandidati Agron Majtani, nuk ka plotësuar dokumentet e nevojshme. Komisioni vlerësoi se kandidatët, të cilët nuk i kanë plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme duhet të njoftohen.

Paneli për shqyrtimin preliminar të aplikacioneve për Kryeprokuror të Shtetit, i cili ka bërë shqyrtimin e aplikacioneve, ka qenë në këtë përbërje: Idain Smailji, kryetar, Haxhi Dërguti dhe Merita Bina – Rugova, anëtarë.