431 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 5 SHTATOR 2014

Prishtinë, 5 shtator 2014 – Është mbajtur takimi i shtatëdhjeteshtatë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh ushtrues detyre i Kryetarit të Këshillit, Sylë Hoxha.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial shqyrtoi dhe miratoi Raportin e Njësitit për Shqyrtimin e Performacës së Prokurorive lidhur me shpërndarjen e 17 pozitave të reja për prokurorë nëpër Prokurori, si dhe u miratua vendimi për shpalljen e konkursit.

Po ashtu, gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial aprovoi plotësim ndryshimin e Rregullores për procesin e rekrutimit, emërimit dhe riemërimit të prokurorëve. Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte  shpallja e konkursit të brendshëm për prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, KPK aprovoi raportin përfundimtar të Komisionit për Vlerësimin e Performancës të 28 prokurorëve me mandat fillestar në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Këshilli Prokurorial aprovoi Udhëzimin Administrativ për procedurat e kompensimit të mbrojtësve me shpenzime publike në Prokurorinë e Shtetit.

Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte aprovimi i propozimit nga Komisioni për emërim për kandidatët për Prokuroritë Themelore në Prishtinë dhe Ferizaj.

Ndërsa pikat tera të parapara në këtë rend dite, janë shtyrë për diskutim në takim e radhës të Këshillit Prokurorial.