2953 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vendim - Reduktohen esencialisht aktivitetet në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të nenit 7 të Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe në zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e masave pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus Covid-19, mori këtë:

VENDIM

  1. Reduktohen esencialisht aktivitetet në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.
  2. Autorizohet Kryeprokurori i Shtetit dhe kryeprokurorët e prokurorive të Republikës së Kosovës që të caktojnë prokurorët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore.
  3. Autorizohet Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë që në koordinim me njësitë përgjegjëse të reduktojnë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit, Njësitit dhe Prokurorit të Shtetit.
  4. Obligohen të gjithë të punësuarit e sistemit prokurorial të cilët janë të liruar nga puna në zyre që aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik.
  5. Autorizohet Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mirëmbajtjen dhe sigurinë e objekteve dhe pajisjeve të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit konform gjendjes emergjente të krijuar nga virusi Covid-19.
  6. Masat e theksuara në pikën I deri V të këtij vendimi do të vlejnë deri në një vendim të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
  7. Ky vendim hyn në fuqi me datën 16 mars 2020.  

 

 Bahri Hyseni

                                                                                     Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës