2949 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

RFSSL pajtohet për hapat e mëtutjeshëm për finalizimin e procesit të Rishikimit Funksional

Prishtinë, 11 mars 2020 – Është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues të procesit të Rishikimit Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit (RFSSL).

RFSSL është nismë reformuese e Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), dhe akterët kyç të sektorit, për të siguruar një vizion gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit, për të ngritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Komiteti Drejtues, i kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGJK-së, KPK-së, Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Finance, Zyrës së Presidentit dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Përveç anëtarëve të Komitetit Drejtues, në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, Ambasadën Britanike dhe USAID-in.

Në takimin e sotëm Komiteti Drejtues i ka miratuar 16 dokumentet e politikave që identifikojnë sfidat kyçe dhe rekomandimet përcjellëse për t’i adresuar ato, si dhe kanë dhënë dritën e gjelbër për hartimin e Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.

Anëtarët e Komitetit Drejtues u pajtuan gjithashtu lidhur me hapat e mëtutjeshëm për finalizimin e procesit të Rishikimit Funksional.