2924 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i parë i Grupit të Mentorimit

Prishtinë, 27 shkurt 2020 – Është mbajtur takimi i parë i Grupit punues për Programin e mentorimit, program ky, që vepron në kuadër të Projektit “Forcimi i sistemit të drejtësisë”, i cili financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi u diskutuan aktivitetet e planifikuara mujore deri në nëntor të këtij viti dhe përfshirja e mundshme në këto aktivitete e Akademisë së Drejtësisë, ZKPSH-së, KGJK-së dhe KPK-së.

Programi i mentorimit, një pjesë e të cilit do të zhvillohet në Kosovë dhe pjesa tjetër në Mbretërinë e Bashkuar, ka për qëllim të rrisë aftësitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përzgjedhur në trajtimin e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Përfitues të këtij programi që është zhvilluar përmes një procesi transparent të intervistimit të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ka marrë aprovimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës janë: Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Violeta Husaj Rogova (gjyqtarë), Atdhe Dema, Armend Hamiti dhe Burim Çerkini (prokurorë).

Vlen të ceket se pas përfundimit të programit, përfituesit e tij do të shpërndajnë njohuritë e fituara te kolegët e tyre, në mënyrë që të përfitojë tërë sistemi i drejtësisë penale në Kosovë.