2898 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni: Udhëzuesi i veçantë për politikën ndëshkimore te veprat penale të korrupsionit do të ndikojë në punën e prokurorëve

Prishtinë, 19 shkurt 2020 – Në kuadër të përpjekjeve për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë është mbajtur një tryezë diskutimi për Udhëzuesin për politikën ndëshkimore te veprat penale të korrupsionit, tryezë kjo, që është organizuar nga Komisioni Konsultativ për Politikën Ndëshkimore, ku morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ekspertët britanikë dhe përfaqësues të tjerë institucionesh.

Gjatë zhvillimit të diskutimeve, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në fjalën e tij të rastit, ka thënë se ky udhëzues do të ndikojë në punën e prokurorëve, me ç’rast do të ketë zbatim të drejtë dhe profesional të politikës ndëshkimore, duke lehtësuar rrethanat për shqiptimin e vendimeve meritore nga gjykatat e vendit. “Në ketë aspekt, Këshilli Prokurorial do të bëjë hapa konkretë për zbatimin e tij dhe do të ofrojë mbështetje të plotë për organizimin e trajnimit për prokurorë, në mënyrë që të ketë rezultate në të ardhmen”, ka theksuar Kryesuesi Hyseni.  

Rrjedhimisht pati edhe diskutime të tjera interaktive nga pjesëmarrësit e tryezës për çështje dhe problematika që ndërlidhen me politikën ndëshkimore, si dhe pati rekomandime profesionale për hapat e mëtutjeshëm, ngaqë ky udhëzues paraqet një pikënisje specifike për zbatimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese për kryesit e moshës mbi 18 vjeçare dhe për personat juridikë.