2811 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimim i 176-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 14 janar 2020 – Fuqizimi i kornizës ligjore dhe integritetit, transparenca dhe llogaridhënia sistematike, avancimi i sistemit për vlerësimin e performances së prokurorëve, ishin vetëm disa nga shtyllat kryesore që përmban Plani i punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për vitin 2020, i miratuar sot në takimin e 176-të të vet.

Gjithashtu, Këshilli i udhëhequr nga Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka miratuar Rregulloren për trajnime dhe zhvillimin profesional në sistemin prokurorial, e cila përcakton standardet dhe udhëzimet e trajnimit të prokurorëve dhe personelit tjetër, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit profesional të prokurorëve dhe personelit administrativ në sistemin prokurorial.

Rrjedhimisht gjatë takimit janë miratuar rekomandimet e Raportit të Komisionit për transferimin dhe avancimin e tre prokurorëve të shtetit, me ç’rast avancohet një prokurore në Prokurorinë Themelore të Pejës nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda, e cila njëkohësisht do të transferohet për një periudhë njëvjeçare në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, kurse një prokurore e Prokurorisë Themelore në Prizren është avancuar nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur. Në këtë kontekst, pas shpalljes së brendshme për avancimin e një pozite në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës është konstatuar se nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara dhe është vendosur të bëhet rishpallja  e brendshme.

Nga ana tjetër, në kuadër të përmirësimit të njohurive dhe aftësive të mentorimit për t'u marrë me rastet e synuara të Prokurorit të Shtetit, KPK-ja ka dhënë pëlqimin që grupi i përzgjedhur i prokurorëve për të ndjekur programin e mentorimit në katër module gjatë muajve mars, qershor, shtator dhe nëntor të vitit 2020 në Londër, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.