2809 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Reagim i Këshillit Prokurorial dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ndaj kërcënimeve të bëra ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari

Prishtinë, 11 janar 2020 – Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënojnë fuqishëm kërcënimin me likuidim fizik dhe kërcënimet e tjera të bëra gjatë ditës së sotme ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.

Këto kërcënime serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”. 

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sigurojnë opinionin publik se kërcënimet publike ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe asnjë çast synimet dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për krijimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen parimet e drejtësisë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores, Drita Hajdari, janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç'rast është urdhëruar Policia e Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.