2789 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

KPK-ja zgjedh kryeprokurorët e Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës

Prishtinë, 23 dhjetor 2019 - Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur sot në takimin e rregullt Blerim Isufajn në detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kujtim Munishin për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për një mandat katërvjeçar. Këtyre zgjedhjeve i ka paraprirë trajtimi i raporteve të komisioneve për rishqyrtim, të cilat kanë rekomanduar refuzimin e katër kundërshtimeve për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, raporte këto që u miratuar nga anëtarët e KPK-së.  

Gjithashtu, Këshilli Prokurorial, i udhëhequr nga Kryesuesi Bahri Hyseni, ka miratuar pas hedhjes së shortit, themelimin e dy paneleve hetimore ndaj dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Ndërkohë, në vijim të këtij takimit të 175-të, Këshilli Prokurorial ka shpallur tri konkurse të brendshme për avancim të prokurorëve në prokuroritë themelore në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë.

Nga ana tjetër, në kuadër të raportimeve të rregullta, është aprovuar edhe Raporti për gjeografinë e krimit 2013-2018, i cili përmban të dhënat për veprat penale karakteristike, si dhe është aprovuar Raporti për vlerësimin e performancës së dy prokurorëve.