2777 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Prokuroritë trajtojnë me prioritet lëndët e dhunës në familje

Prishtinë, 4 dhjetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në prezantimin e punës njëvjeçare të bazës së të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, e cila është organizuar nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje në bashkëpunim me UN Women-in.

Me këtë rast, Kryesuesi Hyseni ka folur para pjesëmarrësve për punën dhe angazhimin e sistemit prokurorial kundër dhunës në familje. “Me qëllim të ngritjes së efikasitetit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje gjatë procedimit të këtyre rasteve në prokurori, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Planit Strategjik të Këshillit Prokurorial, më 29 maj 2017 ka miratuar Procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ky efikasitet synohet të arrihet përmes caktimit të prokurorëve të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, tha Hyseni.  

Me tej, Kryesuesi i KPK-së, ka thënë se çdo prokurori themelore ka caktuar nga një prokuror përgjegjës apo koordinator për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në pajtim me kërkesat që burojnë nga Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit 2016-2020. Ai shtoi se prokurorët e caktuar për dhunën në familje trajtojnë të gjitha rastet, sigurojnë që ato të trajtohen me prioritet, si dhe shërbejnë për të unifikuar partnerët dhe praktikat e ndryshme në zbatim të ligjit dhe ndjekjet në rastet e dhunës në familje.

Gjatë fjalës së tij, Kryesuesi Hyseni ka paraqitur edhe numrin e rasteve të dhunës në familje, të trajtuara nga prokuroritë gjatë periudhës janar-shtator 2019, duke thënë se të gjitha këto raste trajtohen me prioritet. Ai tha se gjatë periudhës janar-shtator 2019, prokuroritë e Kosovës kanë pranuar në punë 1317 raste të dhunës në familje, me 1786 persona dhe kanë zgjidhur 1038 raste, me 1483 persona, për kryesit madhorë, ose 78.8% të rasteve të pranuara. Në këtë drejtim janë ngritur 1,112 aktakuza”.

Në fund të fjalës së tij, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, tha se për sistemin prokurorial, funksionalizimi i kësaj databaze nënkupton një hap shtesë në ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Andaj, sipas tij, prokurorët e shtetit do të angazhohen maksimalisht që të përmbushim të gjitha detyrat dhe obligimet e tyre për funksionalizimin e plotë të saj.