2771 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Miratohet Raporti financiar për periudhën janar-shtator 2019

Prishtinë, 25 nëntor 2019 – Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesja, Prokurorja Dëshirë Jusaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin përveç anëtarëve të komisionit, kanë marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi dhe zyrtarë të njësive përkatëse të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i Raportit financiar për periudhën janar-shtator 2019, të cilin e ka prezantuar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, duke përfshirë të gjitha programet buxhetore të Këshillit sipas kategorive ekonomike, raport ky, i cili u miratua nga Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel.

Gjithashtu, në takim është prezantuar Draftudhëzimi për menaxhimin e shpenzimeve të parasë publike në sistemin prokurorial, për të cilin është marrë vendim që ky draft të procedohet në Komisionin për Çështje Normative.