2768 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Hyseni: Zbatimi i masave disiplinore ka shënuar rezultate të dukshme

Prishtinë, 18 nëntor 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se zbatimi i masave të ndryshme disiplinore nga ana e Këshillit ka shënuar rezultate të dukshme vitin e fundit, gjë që dëshmohet në të gjitha raportet e publikuara. “Ekzistojnë sfida që kanë të bëjnë me plotësimin e kuadrit të nevojshëm profesional dhe administrativ, për të cilat kërkohet mbështetje financiare më e madhe për të realizuar dhe zbatuar objektivat e vërtetë të sistemit prokurorial”. Këto komente Kryesuesi Hyseni i bëri në një tryezë diskutimi, e cila është organizuar nga Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, Çohu!, me ç’rast u prezantuan të gjeturat e Raportit të monitorimit të gjykatave dhe prokurorive themelore për periudhën tetor 2018 – shtator 2019.    

Ndërkohë, Kryesuesi Hyseni ka folur për hapat e ndërmarrë për t’i tejkaluar vështirësitë me të cilat ballafaqohen institucionet e sistemit prokurorial sa i përket mbarëvajtjes së hetimeve, mbarëvajtjes së përfaqësimit të aktakuzave në proceset gjyqësore, respektimit të të drejtave të njeriut, qasjes së qytetarëve në drejtësi, si dhe respektimit të afateve ligjore dhe procedurale, të cilat janë trajtuar si gjetje të monitorimit dyvjeçar të kësaj organizate.

Pjesëmarrësit në tryezë janë pajtuar që të shtohet angazhimi për zbatimin e rekomandimeve të dala nga ky raport për qasje në drejtës, që ka të bëjë me profilizimin e prokurorëve dhe gjykatësve, rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë në prokurori dhe gjykata, rritjen e numrit të përkthyesve profesionalë për gjuhën serbe dhe anasjelltas, adresimin e problemeve në Mekanizmin përcjellës për veprat penale karakteristike të Këshillit Prokurorial dhe çështje të tjera sfiduese të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.