2738 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takim koordinues me administratorët e prokurorive

Prishtinë, 15 tetor 2019 - Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, së bashku me Kryesuesen e Komisionit për Administrimin e Prokurorive, Radica Miliq dhe Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Valon Jupa, ka mbajtur një takim me administratorët e prokurorive, me ç’rast ishin të pranishëm edhe udhëheqësit e departamenteve dhe zyrtarët administrativë të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi, komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë gjatë proceseve të punës në mes të njësive organizative të KPK-së dhe prokurorive të të gjitha niveleve.

Në këtë takim është diskutuar në mënyrë të veçantë për proceset dhe sfidat e punës, sidomos për ecurinë e regjistrimit të lëndëve të vjetra në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe unifikimin e formatit të shkresave sipas standardeve ligjore, të cilat vijnë nga prokuroritë e vendit në Sekretariatin e KPK-së.

Planifikimi vjetor për vitin 2020 i nevojave të prokurorive ishte temë tjetër e trajtuar në këtë takim me administratorë të prokurorive, si dhe vijueshmëria në punë e stafit, me ç’rast është kërkuar që të jetë në përputhje me aktet juridike që rregullojnë këtë fushë.

Në fund, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi, ka kërkuar nga administratorët që të procedojnë me kohë të gjitha faturat që duhet të paguhen për operatorët ekonomikë, si dhe ka paraqitur një përmbledhje të zhvillimeve të reja në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila ndërlidhet me punët dhe nevojat e prokurorive të vendit.