2722 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet tryezë për zbatimin e Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve

Prishtinë, 20 shtator 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, i kryesuar nga Bahri Hyseni dhe përfaqësuesit e administratës së KPK-së, kanë marrë pjesë në tryezën e diskutimeve, të organizuar nga partnerët britanikë “Axiom International dhe Agencia Ltd”, të cilët implementojnë Projektin “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, i cili mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.   

Qëllimi i tryezës së diskutimit ishte zbatimi i Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve, konkretisht zbatimin praktik i Udhëzuesit për nenet 13 dhe 14 të kësaj rregulloreje.  

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar se bashkëpunimi i ngushtë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë po jep rezultate konkrete në forcimin e sundimit të ligjit dhe po ndikon drejtpërsëdrejti në avancimin e standardeve gjatë procedurave të emërimit të kryeprokurorëve, përmes Projektit “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Nga ana tjetër, ekspertët britanikë, shprehën bindjen e tyre se kjo tryezë ndihmon në përcaktimin e qartë të kritereve të procesit të emërimit, si dhe mundëson që KPK-ja të sigurojë një proces objektiv, transparent, jodiskriminues dhe gjithëpërfshirës, të bazuar në merita.

Në këtë tryezë diskutimi është vlerësuar se ky udhëzues siguron një qasje të drejtë dhe të qëndrueshme gjatë zbatimit të kritereve për emërimin e kryeprokurorëve, siç janë struktura e intervistës, shkalla e vlerësimit, vlerësimi i koncept-dokumentit, poentimit të integritetit të kandidatit, aftësive udhëheqëse dhe menaxheriale, si dhe njohurive teknike dhe përvojës.