2721 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vlerësohet ekzekutimi i deritanishëm i buxhetit të sistemit prokurorial

Prishtinë, 19 shtator 2019 – Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesja, Prokurorja Dëshirë Jusaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin përveç anëtarëve të komisionit, ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi si dhe udhëheqës dhe zyrtarë të njësive përkatëse të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i ekzekutimit të buxhetit të vitit 2019 në sistemin prokurorial të Kosovës dhe sfidat për ekzekutimin e buxhetit deri në fund të vitit. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar raportin e ekzekutimit të deritanishëm të buxhetit, duke përfshirë të gjitha programet buxhetore të Këshillit sipas kategorive ekonomike me fokus të veçantë zbatimin e projekteve kapitale sipas planifikimit për këtë vit. Komisioni e ka vlerësuar si të suksesshëm ekzekutimin e deritanishëm të buxhetit në harmoni me planifikimin.

Në këtë takim anëtarët e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel janë njoftuar për sfidat e paraqitura për kompensimin e pagesave të eksperteve në fusha të caktuar sipas kërkesës dhe nevojave të prokurorit të shtetit.

Në fund të takimit Komisioni ka diskutuar edhe për procedurat e rekrutimit të personelit dhe planifikimin e këtij procesi të paraparë deri në fund të këtij viti.