2707 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni priti në takim një grup auditorësh të Qeverisë amerikane

Prishtinë, 18 shtator 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, së bashku me Zëvendëskryesuesin Arben Ismajli dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të KPK-së, ka pritur në takim një grup auditorësh të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i prioriteteve për mbështetje të sundimit të ligjit me anë të programeve të ndryshme, të cilat Ambasada e SHBA-së në Kosovë implementon në sistemin prokurorial, me qëllim të avancimit dhe fuqizimit të fushës së drejtësisë.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka vlerësuar lart ndihmën e madhe të Qeverisë së SHBA-së dhe popullit amerikan, përmes Ambasadës për ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme të sistemit prokurorial, duke theksuar se kjo mbështetje e shtetit amerikan është shumë e rëndësishme.

Takime të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen për të bërë vlerësimet e nevojshme lidhur me ecurinë e implementimit të programeve të ndryshme amerikane në sistemin prokurorial.