2700 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Komisioni për Administrimin e Prokurorive viziton Prokurorinë Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 10 shtator 2019 – Komisioni për Administrimin e Prokurorive i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesja Radica Miliç, së bashku me Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Valon Jupa, vizituan Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i nivelit të aplikimit të Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL) në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe sfidave të prokurorëve dhe stafit administrativ për zbatimin e tij.

Kryesuesja Miliç njoftoi për qëllimin dhe përkushtimin e KPK-së për zbatimin e SMIL-it dhe mbështetjen e nevojshme që do të japë Këshilli në këtë proces.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, ka njoftuar të pranishmit për vështirësitë në zbatimin e SMIL-it, duke kërkuar mbështetjen e Këshillit dhe Departamentit të Teknologjisë Informative për mënjanimin e problemeve teknike.

Në përfundim të takimit u tha se SMIL-i duhet të zbatohet pa kompromis dhe të intensifikohet angazhimi maksimal i të gjithë përdoruesve për përfundimin e fazës së konsolidimit të funksionalitetit të SMIL-it, me ç’rast pjesëmarrësit kërkuan realizimin e një takimi tjetër të përbashkët për të parë rezultatet e përgjithshme të zbatimit të SMIL-it.