2695 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i Komisionit për Administrimin e Prokurorive

Prishtinë, 6 shtator 2019 – Komisioni për Administrimin e Prokurorive i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesja e tij, Prokurorja Radica Miliç, ka mbajtur takimin e radhës.

Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi dhe diskutimi i zbatimit të Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL) në sistemin prokurorial, ngarkesën e prokurorive me lëndë  dhe çështje të tjera të administrimit të prokurorive.

Me këtë rast, Kryesuesja e Komisionit, Radica Miliç, ka njoftuar anëtarët për takimet që ka pasur me zyrtarët e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe Departamentit të Teknologjisë Informative të KPK-së, me ç’rast janë diskutuar sfidat dhe vështirësitë e prokurorive në zbatimin e SMIL-it.

Në vijim të takimit, anëtarët e Komisionit kanë diskutuar edhe për hapat që duhet ndërmarrë për tejkalimin e këtyre vështirësive dhe janë pajtuar për të filluar realizimin e vizitave nëpër prokuroritë e vendit për të vlerësuar gjendjen dhe për të përgatitur rekomandimet përkatëse. 

Ndërkaq, në përmbyllje të takimit, Komisioni ka vlerësuar rezultatet pozitive në zbatimin e SMIL-it, duke konstatuar se zbatimi i tij është i padiskutueshëm dhe do të lehtësojë në masë të madhe punën e prokurorive, si dhe do të ketë ndikim pozitiv në efikasitetin e punës së prokurorive dhe saktësinë e raportimit për punën e Prokurorit të Shtetit.