2680 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Shqyrtohet zbatimi i buxhetit dhe planifikimit të personelit

Prishtinë, 26 gusht 2019 – Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesja e tij, Prokurorja Dëshirë Jusaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin, përveç anëtarëve, ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi dhe udhëheqësit e departamenteve përkatëse.

Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi dhe diskutimi i zbatimit të buxhetit me fokus të veçantë në zbatimin e projekteve kapitale dhe planit të personelit.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së ka prezantuar para të pranishmëve raportin e shpenzimeve për kategoritë ekonomike në të gjitha programet buxhetore të Këshillit Prokurorial dhe zhvillimet e procedurave të rekrutimit të personelit, të cilat janë kryer deri tashti sipas planit.

Anëtarët e Komisionit diskutuan gjatë këtij takimi edhe për dëgjimet buxhetore, me ç’rast do të arsyetohet kërkesa buxhetore 2020-2022, e cila është aprovuar nga Këshilli dhe për sfidat buxhetore me të cilat do të përballet KPK-ja deri në fund të këtij viti kalendarik.

Rrjedhimisht, në përmbyllje të takimit, Komisioni ka vlerësuar punën e bërë për zbatimin e buxhetit dhe procedurat e zhvilluara për rekrutimin e personelit, duke konstatuar se realizimi i buxhetit është bërë sipas planifikimeve dhe plotësimi i pozitave është bërë sipas planit për këtë vit.