2678 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Deklaratë e Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj reagimit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike

Prishtinë, 22 gusht 2019 – Pas publikimit të djeshëm të një artikulli në mediat elektronike nga ana e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), i cili është shkruar në formë të reagimit ndaj miratimit të Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) lëshon këtë Deklaratë për media:

Këshilli Prokurorial i Kosovës konfirmon se procesi i hartimit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës ka qenë gjithëpërfshirës, në të cilin kanë marrë pjesë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, që mbështesin sistemin prokurorial, duke dhënë komentet e tyre profesionale. Andaj pretendimi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike se ky akt nënligjor është antikushtetues nuk qëndron. Kjo rregullore është tërësisht në frymën kushtetuese dhe bazohet në parimet e meritokracisë, barazisë dhe transparencës. Prandaj joqëndrueshmëria e pretendimeve të shprehura në reagimin e GSJP-së vërehet qartë, sepse të njëjtit nuk referohen në dispozita konkrete, ku mund të argumentohen shkeljet e parimeve kushtetuese dhe kjo tregon mungesë profesionalizimi dhe tendencë për faktin se kanë dhënë propozime antikushtetuese. KPK-ja ka marrë parasysh të gjitha komentet parimore të shoqërisë civile.   

Këshilli Prokurorial thekson se përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës është kompetencë ekskluzive e tij. Në rregulloren e miratuar, KPK-ja ka avancuar mënyrën e përzgjedhjes së tyre, ngaqë ka përcaktuar udhëheqjen e procesit vetëm nga KPK-ja, pasi që pesë anëtarë të KPK-së, të zgjedhur me short, do të jenë në Panelin Vlerësues, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve do të jenë pjesë përbërëse e Komisionit për rishqyrtim dhe zëvendësim të anëtarëve të Panelit Vlerësues në rast të konfliktit eventual të interesit.

Sa i përket pretendimit tjetër se kjo rregullore nuk është në frymën e aktgjykimit të rastit “Daka”, Këshilli e vlerëson si argument të paqëndrueshëm, sepse me këtë aktgjykim është trajtuar procesi i votimit nga ana e anëtarëve të Këshillit, e jo edhe procesi i themelimit të paneleve dhe zhvillimit të procedurave të tjera deri në procesin e votimit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin “Daka” është zbatuar në tërësi në këtë rregullore. Pra përcaktimi i mënyrës së përzgjedhjes është pikërisht në frymën e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e theksuar nga GSJP-ja.

Ndërkaq lidhur me hartimin e kësaj rregulloreje, Këshilli iu ka nënshtruar një procesi transparent dhe bashkëpunues, me të gjitha palët që kanë qenë të gatshme për të dhënë kontributin në hartimin e saj dhe, për më tepër, KPK-ja ka organizuar dëgjim publik për të marrë komentet e nevojshme.

Nga ana tjetër, sa i përket futjes së kriterit prej 3% për eliminimin e kandidatëve, Këshill Prokurorial ka miratuar përcaktimin që të votojë për kandidatin e parë dhe të dytë, të renditur sipas numrit më të madh të poenëve në rastet kur diferenca mes kandidatit të parë dhe të dytë është baras apo deri në 3%, paraqet respektim të parimit të barazisë, pasi që diferenca prej 3% në mes të kandidatit të parë dhe të dytë nuk paraqet dallim substancial në mes të kandidatëve. Përcaktimi i 3% nuk paraqet asnjë shkelje të dispozitave, ngase, sipas praktikës së kaluar, ka qenë e përcaktuar që Komisioni ka propozuar dy kandidatët më të votuar që në substancë është e njëjta, vetëm se tani synohet që dallimet mes kandidatëve të jenë sa më minimale. Me këtë zgjidhje nuk shkelet asnjë dispozitë ligjore dhe krijohet mundësia e moseliminimit të kandidatëve që janë të përafërt. 

Lidhur me trajtimin e konfliktit të interesit gjatë procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive, Këshilli ka vendosur plotësisht në përputhje me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, sepse është e vërtetë që situatat e mundshme të konfliktit të interesit ngritin dilema të ndryshme, por në rregullore është përcaktuar që në rastet e mundshme të konfliktit të interesit, KPK-ja t’i drejtohet Agjencisë Kundër Korrupsionit, si autoritet i përcaktuar me ligj për të bërë vlerësimin e situatave të konfliktit të interesit.

Përfundimisht, Këshilli do t’i merrte parasysh komentet e këtij grupi sikur ato të ishin të mbështetura në dispozita ligjore, e jo sikurse në këtë rast që janë vetëm supozime, prandaj Këshilli do të mbetet i përkushtuar që të bashkëpunojë me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në frymën e profesionalizmit dhe respektimit të vlerave të ndërsjella.