2652 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

KPK ka miratuar rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve

Prishtinë, 1 gusht 2019 - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 170-të me radhë, në të cilin ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh të rëndësishme.

Rrjedhimisht, pas një debati të gjatë, KPK-ja ka miratuar Rregulloren për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, të cilën e ka prezantuar Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, rregullore kjo, e cila është hartuar në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe faktorët e tjerë relevantë, gjë që garanton zbatimin e transparencës dhe meritokracisë, përfshirë edhe respektimin e integritetit dhe profesionalizmit, me ç'rast procesi i emërimit të kryeprokurorëve do të sigurohet me anë të një procedure të pavarur të KPK-së.   

Në vijim është marrë vendim për shpalljen e Konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, që ka ardhur si rezultat i miratimit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, KPK-ja ka marrë vendim për themelimin e tre paneleve për hetimin e shkeljeve të pretenduara disiplinore të prokurorëve, me ç'rast shorti i panelit të parë për caktimin e anëtarëve u tërhoq nga përfaqësuesi i një OJQ-je, praktikë kjo e mirë e zbatimit të transparencës, e cila do të vazhdojë të aplikohet edhe në të ardhmen.

Gjithashtu është aprovuar Raporti periodik janar-mars 2019 për veprat penale karakteristike të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional, të cilin e ka prezantuar Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, Valon Jupa, i cili pasqyron proceset lidhur me nëntë grupet e veprave penale.

Po ashtu është miratuar kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për transferimin e përkohshëm të një prokurori nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Ferizajt në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, me ç’rast sipas kërkesës së lartcekur, KPK-ja ka transferuar Prokurorin Dushko Manitasheviq.

Në takimin e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë raportuar edhe kryeprokurorët e të gjitha prokurorive për të arriturat dhe sfidat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Gjatë këtij takimi, KPK-ja ka miratuar Raportin e Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, ku ka avancuar prokurorin Ismet Tofaj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Po ashtu, pas miratimit të Raportit të Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve, KPK-ja ka bërë transferimin e përhershëm të Prokurores Ariana Shajkovci nga Departamenti për të Mitur në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prizren.