2623 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Sqarim i KPK-së për deklaratat e publikuara në media të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha

Prishtinë, 5 korrik 2019 - Lidhur me deklaratat e publikuara në media të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) lëshon këtë Sqarim për media:

Këshilli Prokurorial i Kosovës hedh poshtë pretendimet për kontestimin e Vendimit KPK/nr.377/2019, të datës 7 qershor 2019, nga ish-Zëvendësi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, për emërimin e Prokurorit Kujtim Munishi si Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, pozita e ish-Zëvendëskryeprokurorit është pozitë që nuk është e paraparë me Ligj, mirëpo Këshilli me rregullore e ka përcaktuar një pozitë të tillë, të cilën e ka lënë në kompetencë të çdo kryeprokurori, që në rast se e konsideron të nevojshme të caktojë zëvendësin e tij. Për caktimin e zëvendëskryeprokurorit nuk ka procedurë të përcaktuar, mirëpo është në diskrecionin e plotë të kryeprokurorit që të vendosë për caktimin e një prokurori si zëvendës në rastet kur ai mungon, me qëllim që t’ua lehtësojë kryeprokuroreve menaxhimin e prokurorisë dhe asgjë me tepër.

Në këtë kontekst, Zëvendësi i Kryeprokurorit nuk mund të zgjidhet me automatizëm si ushtrues detyre pa vendimin e Këshillit Prokurorial, si autoritet kompetent, ngaqë mandati i zëvendësve përfundon me përfundimin e mandatit të Kryeprokurorit, i cili e ka caktuar.

Përtej kësaj, në nenin 4 të Rregullores nr.08/2016 për emërimin e kryeprokurorëve janë të përcaktuara kriteret që duhet t’i plotësojnë kandidatët për kryeprokuror të prokurorisë themelore, siç janë: kandidati për kryeprokuror duhet të plotësojë kriteret e përgjithshme si në vijim: të jetë prokuror me mandat të përhershëm, të mos ketë të ngritur aktakuzë apo të mos jetë i dënuar për vepër penale, me përjashtim të kundërvajtjes, të ketë vlerësim pozitiv të përformancës dhe të ketë reputacion të lartë profesional, personal dhe integritet moral.

Bazuar në kriteret e lartcekura, z.Berisha nuk i plotësonte kushtet për t’u emëruar Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngaqë i ka të shqiptuara dy masa disiplinore, e jo një, siç ka thënë z. Berisha. Këto masa janë:  Qortim, i shqiptuar në vitin 2016 dhe Qortim me ndërmarrje të veprimeve korrigjuese, i shqiptuar në vitin 2017, masa këto, të cilat nuk vjetërsohen sipas akteve juridike, mbi të cilat janë shqiptuar.

Pra, ndaj prokurorit Berisha janë shqiptuar dy masa disiplinore brenda periudhës njëvjeçare, argumente këto, të cilat ia kanë pamundësuar caktimin e tij në pozitën  përkatëse, kështu që në asnjë rrethanë, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka vepruar me ndonjë tendencë, por vetëm duke u bazuar në kuadrin ligjor që rregullon këto procedura.