2617 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi i KPK-së dhe KGJK-së pritën në takim lamtumirës Ambasadorin dhe Zëvendësambasadorin e Norvegjisë

Prishtinë, 3 korrik 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGJK), Skënder Çoçaj, kanë pritur në takim lamtumirës Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad dhe Zëvendësambasadorin Stein Eivar Lothe.

Kryesuesit Hyseni dhe Çoçaj kanë shprehur falënderimet e tyre të veçanta për Ambasadorin Sjaastad dhe Zëvendësin e tij, Lothe, për punën dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre për mbështetjen e dhënë për avancimin dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Gjatë kohës së qëndrimit të Ambasadorit të Norvegjisë, Per Strand Sjaastad dhe Zëvendësambasadorit Stein Eivar Lothe në vendin tonë janë arritur rezultate të larta, sidomos në aspektet e ndryshme të zbatimit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), i cili ka pasur ndikim thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe transparencës, menaxhimin më efektiv të punës dhe standardizimin e procesit të punës në gjykata dhe prokurori.

Nga ana tjetër, Ambasadori Sjaastad, vlerësoi lart bashkëpunimin me kryesuesit Hyseni dhe Çoçaj, duke thënë se ndjehet shumë i kënaqur e i nderuar që së bashku me zëvendësin e tij kanë shërbyer në Kosovë, duke falënderuar për kurajën dhe mbështetjen e madhe që kanë pasur ndaj SMIL-it. “Për ne është tejet e rëndësishme që ta dërgojmë Kosovën përpara përmes shtetit të së drejtës”, ka theksuar Ambasadori Sjaastad në takimin lamtumirës.

Të dy këshillat mbetën të përkushtuar dhe shprehen gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me shtetin norvegjez në fushën e sundimit të ligjit.