2613 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohen praktikat e mira për fuqizimin e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm

Prishtinë, 3 korrik 2019 Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në bashkëpunim me Zyrën e UNDP-së në Kosovë kanë mbajtur një punëtori dyditore me temën “Forcimi i komunikimit të brendshëm në sistemin prokurorial, sfidat dhe mundësitë”, në të cilin kanë marrë pjesë zyrtarët për komunikim publik të sistemit prokurorial, administratorët dhe shefat e shkrimoreve të prokurorive të vendit.

Qëllimi i kësaj punëtorie dyditore ishte trajtimi i temave për ngritjen e bashkëpunimit të brendshëm, me qëllim të fuqizimit të komunikimit të tërësishëm institucional, i cili do të ishte në funksion të veçantë të komunikimit të jashtëm.

Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie kanë diskutuar për rëndësinë e komunikimit të brendshëm, funksionimi i tij në dobi të komunikimit të jashtëm dhe për rëndësinë e ruajtjes së integritetit institucional, avancimin e transparencës dhe ngritjen e besueshmërisë.

Rrjedhimisht, pjesëmarrësit kanë identifikuar praktikat e mira të funksionimit të komunikimit të brendshëm dhe sfidat që ndërlidhen më komunikimin e jashtëm, me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre të përditshme, duke rekomanduar zbatimin e metodave dhe standardeve të aplikueshme në sistemin prokurorial.

Sistemi prokurorial i Kosovës është duke punuar në vazhdimësi për fuqizimin e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm për ngritjen e transparencës, fuqizimit të bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët, me qëllim të realizimit të misionit kushtetues dhe ligjor për luftimin e dukurive kundërligjore.