2603 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Arrihet pajtimi për trajtimin e kërkesave dhe shtyrjen e fillimit të grevës të Sindikatës së Judikaturës së Kosovës

Prishtinë, 28 qershor 2019 – Kryesuesit e dy Këshillave: Bahri Hyseni dhe Skënder Çoçaj, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës të Kosovës.
 
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i kërkesave të Sindikatës së Judikaturës drejtuar të dy Këshillave dhe Ministrit të Drejtësisë, kërkesa këto, të cilat kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive.
 
Palët u pajtuan që: të punohet së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat, të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani.
 
Pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar për të hënën më 1 korrik 2019 do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019. ​