2598 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vizitë studimore e përfaqësuesve të KPK-së në prokuroritë norvegjeze

Prishtinë, 26 qershor 2019 Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arben Ismajli,  Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative në KPK, Zejnullah Gashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, janë duke qëndruar në Oslo të Norvegjisë në kuadër të shkëmbimit të përvojave të prokurorive dhe gjykatave, si dhe shërbimeve që ofrohen për to nga administratat përkatëse.

Në takimet e zhvilluara në institucionet e larta të drejtësisë norvegjeze janë duke marrë pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Valon Kurtaj, Menaxheri i Projektit të UNDP-së, Ardian Latifaj dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë kosovare.  

Qëllimi i vizitës është vëzhgimi i praktikave të mira në fushën e menaxhimit të çështjeve dhe administrimit të prokurorive dhe gjykatave, si dhe diskutimi për çështjet e shërbimit të prokurorive dhe gjykatave norvegjeze në aspektin e dhënies së udhëzimeve, pavarësisë dhe etikës së sistemit prokurorial dhe gjyqësor, përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve, edukimit gjyqësor dhe trajnimit adekuat, integritetit, përgjegjësisë dhe transparencës, rekrutimit, vlerësimit të performansës dhe promovimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Rrjedhimisht, përfaqësuesit kosovarë janë pritur nga autoritetet e larta të sistemit prokurorial dhe gjyqësor norvegjez, me ç’rast kanë falënderuar për pritjen dhe prezantimin e vlerave dhe standardeve të drejtësisë norvegjeze, të cilat do të krijojnë një pasqyrë të qartë lidhur me përmirësimin e efikasitetit, llogaridhënies, ngritjen e transparencës dhe kapaciteteve të përgjithshme profesionale dhe administrative në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës.

Kjo vizitë është mbështetur nga Programi i Zyrës së UNDP-së në Kosovë në bashkëpunim me Qeverinë e Mbretërisë së Norvegjisë.