2596 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohet procesi i hartimit të Draftit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive

Prishtinë, 26 qershor 2019 –Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim ekspertët e projektit britanik “Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, të kryesuar nga menaxheri Mark Dikson.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i komenteve tw propozuara nga ekspertët britanikë, të cilat janë ofruar për integrimin e tyre në tekstin e përgjithshëm të Draftit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive, e cila ka rëndësi të veçantë për funksionimin dhe menaxhimin e sistemit operativ të Prokurorit të Shtetit.  

Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni, ka falënderuar përfaqësuesit e projektit britanik për ofrimin e ndihmës për forcimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial, sidomos në aspektin e hartimit të akteve nënligjore dhe zbatimin e kritereve dhe standardeve të larta në përpilim, sidomos në Draftin e Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të vendit.  

Rrjedhimisht, Kryesuesi Hyseni, ka informuar ekspertët britanikë se në vazhdën e angazhimeve për hartimin e kësaj rregulloreje është diskutuar për hartimin e procedurave të shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit dhe kryeprokurorë të prokurorive, si për procedurat e ankesave të kandidatëve në të ardhmen.

Të dyja palët kanë vlerësuar se bashkëpunimi i Këshillit Prokurorial me partnerët ndërkombëtarë, siç janë ekspertët britanikë, ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit prokurorial të Kosovës.