2578 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet mbledhja e radhës e Bordit të Përbashkët “Drejtësia 2020”

Prishtinë, 21 qershor 2019 –Bordi i Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020” ka mbajtur takimin e radhës, takim ky, në të cilin morën pjesë Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri,  Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli dhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, EULEX-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian.

Temë diskutimi e këtij takim ishte zbatimi i masave të përcaktuara në Agjendën “Drejtësia 2020”, të cilat ndërlidhen me të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2019 dhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, gjatë këtij takimi, ka thënë se KPK-ja mirëpret konstatimin se është një progres i arritur në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë, duke shtuar se krahas fokusit të sistemit prokurorial për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, ka pasur përkushtim edhe në luftimin e korrupsionit në përgjithësi.

Në takim është diskutuar edhe për nevojën e një koordinimi më të qartë në mes të hierarkisë së institucioneve që merren me hetimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që secili institucion të ushtrojë kompetencat e tij të plota.