2577 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i Komisionit për Administrim të Prokurorive

Prishtinë, 20 qershor 2019 - Komisioni për Administrim të Prokurorive ka mbajtur takimin e radhës, takim ky, i cili është udhëhequr nga Kryesuesja e tij, Radica Miliq.

Qëllimi i takimit të Komisionit për Administrim të Prokurorive ishte diskutimi për zbatimin e projekti të SMIL-it në të gjitha prokuroritë e vendit dhe, në veçanti, për sfidat në zbatimin e tij në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, me ç’rast mbizotëroi konstatimi i përgjithshëm se regjistrimi i lëndëve në shkrimore realizohet sipas kërkesave dhe ky proces është duke shkuar sipas dinamikës së përcaktuar në prokuroritë e tjera, por vërehen ngecje në zbatimin e SMIL-it nga ana e prokurorëve të kësaj prokurorie.

Gjithashtu anëtarët e këtij Komisioni kanë diskutuar edhe mundësitë e mbështetjes me prokurorë shtesë të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për një periudhë gjashtëmujore, me ç’rast nga ky takim dolën rekomandimet konkrete për angazhimin e trajnerëve për SMIL, të cilët flasin gjuhën serbe.

Në përfundim të takimit është thënë se Njësiti për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorive do të përgatitë një analizë për ngarkesën me lëndë të prokurorëve të kësaj prokurorie, si dhe për një periudhë gjashtëmujore të mbështetet Prokuroria Themelore e Mitrovicës me nga një (1) prokuror të departamentit të përgjithshëm nga prokuroritë e tjera, të cilat kanë stabilizuar ngarkesën me lëndë, ngaqë në këtë prokurori, vetëm për periudhën janar-maj janë pranuar 2511 kallëzime penale me kryes madhorë dhe të mitur.