2560 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet punëtori për organizimin e administratës së sistemit prokurorial

Prishtinë, 13 qershor 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në kuadër të fuqizimit dhe avancimit të administratës së sistemit prokurorial, i cili është përcaktuar edhe me Planin Strategjik 2019-2021 të KPK-së, ka organizuar një punëtori treditore për organizimin e ri të administratës së sistemit prokurorial, në të cilin morën pjesë Kryesuesi Bahri Hyseni, anëtarët e komisioneve të përhershme, udhëheqësit dhe stafi administrativ i KPK-së dhe PSH-së.

Qëllimi i mbajtjes së punëtorisë është arritja e standardizimit modern të administratës së sistemit prokurorial, ngaqë ka rritje të ndjeshme të pritjeve dhe kjo e bën të nevojshëm intervenimin për planifikimin e rishpërndarjes së burimeve njerëzore ekzistuese dhe sistemimin e burimeve të e reja, me qëllim të rritjes së koherencës në të gjitha proceset e punës. Në këtë proces kanë ndikuar dukshëm edhe ndryshimet legjislative të kohëve të fundit, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në strukturën organizative dhe klasifikimin e pozitave të punës në administratën e sistemit prokurorial.

Kryesues i Këshillit, Bahri Hyseni, ka folur për organizimin funksional të administratës nga prizmi i së ardhmes, përfshirë nevojat dhe sfidat, zhvillimet dhe dimensionet e reja, të cilat imponojnë evoluimet e ndryshme institucionale, duke theksuar se qëllimi dhe objektivat e kësaj punëtorie janë shumëdimensionale në kuptimin e avancimit dhe fuqizimit të veprimtarisë prokuroriale.    

Gjithashtu, në këtë kontekst, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar konceptin e organizimit, opsionet e propozuara për organizim të administratës, përfshirë listimin e argumenteve dhe prezantimin e përfundimeve kryesore lidhur me organizimin e administratës së sistemit prokurorial.

Në këtë punëtori janë diskutuar dhe analizuar gjerësisht përparësitë dhe sfidat e organizimit të funksionimit të administratës në të ardhmen, në mënyrë që të ketë perspektivë të qëndrueshme të funksionimit të administratës së sistemit prokurorial.

Të gjithë pjesëmarrësit e punëtorisë vlerësuan se në të ardhmen duhet të vlerësohen modelet dhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe më gjerë në funksionimin e administratës dhe të identifikohen efektet e riorganizimit në legjislacionin në fuqi.