2556 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takim me administratorët e prokurorive përmes videokonferencës

Prishtinë, 11 qershor 2019- Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, ka mbajtur takim me administratorët e prokurorive përmes videokonferencës, në të cilën morën pjesë edhe Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorive dhe stafi administrativ i SKPK-së.  

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i bashkëpunimit në mes të njësive organizative të KPK-së, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorive të të gjitha llojeve, me fokus të veçantë  mbikëqyrjen dhe diskutimin e vazhdueshëm për avancimin e zbatimit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), regjistrimin e lëndëve të vjetra, sfidat në proceset që janë përpara, rastet e shenjëstruara, si dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë kryekëput me administrimin e sistemit prokurorial.

Me këtë rast, kreu i Sekretariatit të Këshillit, Lavdim Krasniqi, ka njoftuar administratorët e prokurorive me zhvillimet e reja sa i përket miratimit të legjislacionit sekondar, i cili do të ndikojë në qartësimin e procedurave të ndryshme dhe rritjen e efikasitet dhe planifikimin më të mirë të punëve që kanë të bëjnë me komunikimin e brendshëm, përfshirë koordinimin e çështjeve të ndryshme me Sekretariatin e Këshillit, NJSHPP-në dhe njësitë e tjera organizative.  

Gjithashtu administratorët janë njoftuar me vendimet e fundit të Këshillit, të cilat kanë të bëjnë me proceset e menaxhimit të prokurorive në Kosovë dhe Kërkesën e Parë Buxhetore të sistemit prokurorial 2020-2022.