2549 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Lansohet platforma online “E drejta jem”

Prishtinë, 7 qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në lansimin e platformës “E drejta jem” për raportim online, e cila është organizuar nga OJQ “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Qëllimi i lansimit të kësaj platforme online është mbrojtja e të drejtave ligjore të qytetarëve dhe fokusimin në transparencën e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Me këtë rast, Kryesuesi Hyseni, në fjalën e tij para audiencës së gjerë të të rinjve, ka theksuar se prezantimi i kësaj platforme të rëndësishme dhe iniciativa e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut është tejet e qëlluar, sepse mbron të drejtat e njeriut, me ç’rast edhe sistemi prokurorial do të jetë në dispozicion të plotë për fuqizimin e mëtejshëm të të drejtave qytetare në Kosovë, me anë të informimit, komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë për zbatimin e procedurave përkatëse ligjore.

Me tej, kreu i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar se përmes këtij programi për edukim ligjor, i cili realizohet me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, do të këtë komunikim standard mes institucioneve dhe shoqërisë civile për respektimin dhe zbatimin e të drejtave të qytetarëve.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë kanë theksuar se kjo platformë mundëson raportimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe është një dritare e vërtetë e avokimit të të drejtave themelore të njerëzve, duke ofruar mundësinë e një dialogu mes aktorëve të drejtësisë dhe qytetarëve.

Platforma përmban informata për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera të zbatimi të ligjit në Kosovë, në të cilën mund të raportohet për rastet e moszbatimit të drejtësisë, ku pyetjet dhe shqetësimet qytetare mund t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë.