2540 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Zbatimi i procedurave alternative, në fokus të Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020”

Prishtinë, 5 qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në hapjen e punëtorisë dyditore, e cila është organizuar në kuadër të Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020” për rritjen e përdorimit dhe zbatimit të dënimeve dhe masave alternative, si dhe ngritjes së vetëdijesimit për profesionistët në aplikimin e dënimeve dhe masave alternative.

Kryesuesi Hyseni, në fjalën e tij të mbajtur në hapje të kësaj punëtorie, ka thënë se procedurat alternative janë objektiv i institucioneve të drejtësisë, por edhe i të gjitha vendeve që kanë traditë në sistemin e drejtësisë, por janë edhe parime të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në dhe BE-në.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, ka theksuar se vazhdimisht është kërkuar për aplikim të procedurave alternative, duke u bazuar gjithnjë në ligjet në fuqi dhe duke respektuar të drejtat e palëve në procedurë, por edhe duke e ruajtur interesin e përgjithshëm të shoqërisë.

Lidhur me këtë procedurë, Kryesuesi Hyseni, tha së Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hartuar strategji  me objektiva të qarta dhe njëkohësisht edhe Rregulloren për procedurat e ndërmjetësimit për ta avancuar sistemin alternativ të zgjedhjes së rasteve penale.

Gjatë fjalës së tij, kreu i KPK-së, Bahri Hyseni, ka paraqitur edhe procedurat alternative, të cilat i parasheh Kodi i Procedurës Penale dhe procedurat për implementimin e tyre.

Ndërkaq, në fund të fjalës së tij, Kryesuesi Hyseni kërkoi nga prokurorët dhe gjyqtarët që ta ngritin nivelin e zgjedhjes së lëndëve penale përmes procedurave alternative, që, sipas tij, ngritja e nivelit të aplikimit të këtyre procedurave do të bënte edhe ndryshimin e perceptimit të publikut sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë për zgjidhjen e lëndëve penale me procedura alternative.