2510 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Projekti britanik “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë” prezanton rekomandimet për avancimin e sistemit prokurorial

Prishtinë, 14 maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, me bashkëpunëtorë, është takuar me përfaqësuesit e ekipit britanik të Projektit “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”.  

Qëllimi i këtij prezantimi ishte publikimi i të gjeturave, rekomandimeve dhe konkluzioneve profesionale të këtij ekipi për sistemin prokurorial, si dhe parashtrimi i nevojës për një qasje tjetër, me ç’rast janë diskutuar orientimet, qasjet dhe metodologjitë e këtij projekti.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar se sistemi prokurorial i Kosovës është në avancim e sipër në secilin segment të tij, avancim ky, që po arrihet edhe në saje të mbështetjes dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë. “Ne vlerësojmë lart mbështetjen tuaj për zbatimin e mekanizmave adekuatë të vlerësimit të përformancës, llogaridhënies, transparencës, dinjitetit dhe integritetit të prokurorëve, në mënyrë që të kemi vlerësim ditor të punës dhe kontributit të secilit prokuror”, ka thënë kreu i Këshillit, Hyseni.    

Në këtë kontekst, gjatë prezantimit të të gjeturave dhe rekomandimeve, drejtuesi i ekipit britanik të këtij projekti, Steve Pitts, ka thënë se ekziston një marrëdhënie e qartë në mes të integritetit dhe llogaridhënies, andaj duhet bërë ndryshime sistematike në rrugën që kemi përpara, sepse kërkohet zhvillimi i kapaciteteve të qëndrueshme, duke u bazuar në qëllimin e zhvillimit dhe kapacitetin e nevojshëm organizativ të sistemit prokurorial të Kosovës.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, ka thënë se të gjeturat dhe rekomandimet janë në harmoni me planin dhe vizionet e Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit, andaj presim që në të ardhmen të punojmë bashkërisht në agjendën e prioriteteve dhe t’i adresojmë ato për të gjetur metodologjinë më të mirë në mbështetje të Këshillit, komisioneve dhe Prokurorit të Shtetit.

Pas diskutimeve, përfaqësuesit e Këshillit dhe ekipit implementues të projektit britanik janë pajtuar që në të ardhmen veçanërisht të ketë mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të një administrate efikase, efektive dhe me integritet të sistemit prokurorial me anë të shkëmbimit të përvojave me vendet evropiane.