2475 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vlerësohen planet e punës dhe dokumentet strategjike të Këshillit Prokurorial

Prishtinë, 26 prill 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Kryesuesin e Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, Zejnullah Gashi, ka marrë pjesë në punëtorinë në kuadër të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, e cila është organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte prezantimi dhe diskutimi i dokumentit të politikave me titull: “Ngritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, dokument ky, i cili ka të bëjë me përmirësimin e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave, procedurat e brendshme të punës, raportimin, përmirësimin e shkathtësive menaxheriale dhe çështjeve sfiduese, më të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë.   

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se Këshilli Prokurorial ka përgatitur plane të mira të punës dhe dokumente strategjike, të cilat janë të qasshme dhe në funksion të arritjes së objektivave të sistemit prokurorial, në kuadër të të cilave janë paraparë që të mbahen trajnime dhe të ofrohet asistencë tjetër e specializuar profesionale për të siguruar bartjen e njohurive të nevojshme dhe shkathtësive menaxheriale, gjë që do të mundësohet në koordinim me donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë.  “Më vjen mirë që në këtë punëtori të rëndësishme vlerësohen planet e hartuara të punës dhe planet strategjike të sistemit prokurorial, të cilat do t’i zbatojmë në rrugën që kemi përpara”, ka thënë Kryesuesi Hyseni.

Nga kjo punëtori kanë dalë rekomandime të ndryshme, për të cilat pati pajtim të përgjithshëm të pjesëmarrësve, në veçanti, për të ndërmarrë masa për rritjen e kapaciteteve të stafeve përkatëse në aspektin e hartimit, analizës së raporteve dhe të dhënave statistikore, si dhe planifikimin e bazuar në analizën e të dhënave dhe indikatorëve të tyre, në mënyrë që të ketë avancim të mirëfilltë të sektorit të drejtësisë në Kosovë.

Ndër të tjera, kreu i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar në përmbyllje të takimit se rekomandimet e dala nga dokumenti i politikave për ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial do të merren parasysh për zbatimin e tyre adekuat, sepse përforcojnë dhe avancojnë llogaridhënien, transparencën dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.