2472 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i 166-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 25 prill 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 166-të, të cilin e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, me ç‘rast janë shqyrtuar dhe miratuar disa çështje të rëndësishme. 

Kryesuesi Bahri Hyseni ka thënë në fillim të takimit se Këshillin Prokurorial të Kosovës e presin procese të rëndësishme, realizimi i të cilave kërkon dinamikë të shtuar, të cilat do të zbatohen me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim të fuqizimit dhe avancimit të përgjithshëm të sistemit prokurorial.     

Në vijim të takimit, Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative i KPK-së, Zejnullah Gashi, ka prezantuar Rregulloren nr.05/2019 për referim në procedurë të ndërmjetësimit të rasteve nga prokuroria, e cila u miratua unanimisht nga anëtarët e KPK-së, rregullore kjo, e cila është hartuar në përputhje të plotë me Ligjin për ndërmjetësim, i cili rregullon mënyrat alternative të ndërmjetësimit për zgjidhjen e rasteve në lëmin penale dhe civile nga Prokurori i Shtetit dhe Gjyqësori, në mënyrë që rastet të zgjidhen më shpejtë, të kenë kosto më të ulët të shpenzimeve dhe kryerësit të mos futen në evidencat e të dënuarve, respektivisht, të mos ketë stigmatizim të tyre.

Këshilli ka miratuar edhe shpalljet për avancim të dy pozitave për prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të një pozite për prokurorë në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Ndërkaq, Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë, Valon Jupa, ka bërë prezantimin e analizës së ngarkesës me lëndë të prokurorëve në prokuroritë e Kosovës, analizë kjo, që do t’i shërbejë Këshillit në të ardhmen për të vendosur për politikat e tij në procesin e rekrutimit të prokurorëve, kurse Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka paraqitur një raport për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në sistemin prokurorial të Kosovës, ne të cilin rekomandohet që angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë të bëhet me anë të memorandumeve të mirëkuptimeve.

Nga ana tjetër, Raporti i Komisionit Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së është prezantuar nga anëtari i Komisionit Vlerësues, Haxhi Dërguti, me ç’rast anëtarët e Këshillit morën vendim që të anulohet konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, kurse, në këtë kontekst, Këshilli ka autorizuar Komisionin për Çështje Normative që në afat sa më të shpejtë të hartojë Rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve bazuar në  ndryshimet ligjore dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.  

Në fund të takimit, Këshilli caktoi prokurorin Afrim Shefkiu Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit të PRSK-së.