2451 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i 165-të i KPK-së

Prishtinë, 10 prill 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur takimin e 165-të me radhë, të cilin e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar një mori pikash të rendit të ditës.

Fillimisht, Kryeprokurorit i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka prezantuar Raportin e punës për vitin 2018 të Prokurorit të Shtetit, i cili përmbledh veprimtarinë njëvjeçare të punës operative.

Në vijim të këtij takimi të sotëm është bërë miratimi i Rregullores së plotësuar dhe të ndryshuar nr.03/2019 për shërbimin e komunikimit publik, e cila përcakton mënyrat e ofrimit të shërbimit, funksionimit dhe koordinimit të komunikimit publik në sistemin, duke përfshirë edhe rekomandimin e Kryesuesit të Komisionit për Çështje Normative.

Gjithashtu anëtarët e Këshillit kanë aprovuar formimin e tri grupeve të punës, që rrjedhin nga Plani strategjik i miratuar në takimin e kaluar: Grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, Grupin punues për zbatimin e detyrave specifike, që rrjedhin nga ky plan dhe Grupin punues për mbikëqyrjen e Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, grupe këto, të përbëra prej tre anëtarësh.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka njoftuar anëtarët e KPK-së se pas arritjes së moshës së pensionimit të prokurorit Reshat Millaku do të njoftojë Presidentin e vendit për lirimin e tij nga detyra.  

Në fund të takimit të KPK-së, Kryesuesi i Komisionit Vlerësues, prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka prezantuar para anëtarëve të Këshillit Raportin e procedurave për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së.