2438 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohet zbatimi i Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik

Prishtinë, 8 prill 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka mbajtur takim me Grupin punues të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, në përbërje të të cilit ishin Kryesuesja e tij, Albulena Haxhiu, si dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka njoftuar anëtarët e grupit punues për rrjedhat e zbatimit e këtij ligji, caktimin e pikave të kontaktit dhe masat e ndërmarra nga KPK-ja.

Bashkëbiseduesit diskutuan në vijim të takimit edhe për mënyrat adekuate dhe mundësitë e lehtësimit të bashkëpunimit reciprok për hartimin e akteve nënligjore, që ndërlidhen me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Në fund të takimit, Kryesuesi Hyseni, ka kërkuar nga bashkëbiseduesit të angazhohen që Kuvendi i Kosovës të bëjë harmonizimin e ligjeve që mund të bien ndesh me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe ka shprehur vullnetin për të diskutuar në të ardhmen për të gjitha çështjet e ndërsjella, duke respektuar në mënyrë të veçantë pavarësinë e pushteteve, në mënyrë që të bashkërendojnë harmonizimin e veprimeve për forcimin e zbatimit të ligjit.  

Kryesuesja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu. si dhe deputetët e tjerë që morën pjesë në takim, u pajtuan  për të bërë monitorimin e ligjeve të tjera në fuqi, si dhe për të mbështetur propozimet e KPK-së për ligjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial dhe përgjithësisht me sistemin e drejtësisë.