2426 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi koordinues me donatorë

Prishtinë, 4 prill 2019 – Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka mbajtur një takim koordinues me përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë, zyrës se BE-së, organizatave dhe projekteve të ndryshme, që mbështesin sistemin prokurorial, takim ky, në të cilin janë diskutuar mundësitë e mbështetjes së objektivave për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të këtij sistemi.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka njoftuar përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimet kryesore në sistemin prokurorial, duke u fokusuar kryesisht në objektivat strategjike, që dalin nga Plani Strategjik për vitet 2019-2021 dhe planet vjetore të punës, me ç’rast ka theksuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme nga ana e donatorëve, ashtu siç është vepruar deri më tani. “Përfitimi nga përvojat, ekspertiza dhe mbështetja juaj është e pazëvendësueshme, sepse kemi pasur ndikime tejet pozitive në dinamikën e punës së Këshillit dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit”, ka thënë Hyseni.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e donatorëve vlerësuan lart iniciativën e KPK-së për koordinimin e donatorëve, si dhe kanë diskutuar për projektet që kanë realizuar dhe janë në realizim e sipër, duke shprehur gatishmërinë e tyre që edhe në të ardhmen të vazhdojnë mbështetjen përmes projekteve të ndryshme.   

Në vijim të këtij takimi, Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar propozimprojektet, në të cilat janë përcaktuar objektivat specifike, rezultatet e pritshme, aktivitetet që duhet të ndërmerren dhe përftimet që do të ketë sistemi prokurorial nga zbatimi i tyre.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit synojnë që me anë të realizimit të mbështetjes së donatorëve të fuqizojnw kriteret, vlerat dhe standardet më të larta të punës, kurse projektet e propozuara për mbështetje kanë të bëjnë me sistemin e digjitalizimit të procesit të punës, regjistrimin e lëndëve të vjetra në punë, infrastrukturën, ngritjen e besimit publik në sistemin prokurorial, ngritjen e kapaciteteve të komisioneve të Këshillit dhe stafit, menaxhimin e dosjeve personale të prokurorëve, avancimin e infrastrukturës fizike, sistemit të sigurisë dhe teknologjisë informative.